Follow us on:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague

Londër, 06 qershor 2013 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku kanë zhvilluar një takim në Londër me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Thaçi e ka njoftuar Sekretarin Hague për marrëveshjen historike, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka falënderuar atë për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në këtë dialog dhe në fazat paraprake të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi shtoi se aq sa ka qenë e rëndësishme arritja e marrëveshjes, është edhe implementimi i saj, sipas kornizës kohore, të dakorduar në muajin e kaluar. Për këtë qasje nga zbatimit të marrëveshjes u pajtua plotësisht edhe Sekretari Hague.

Kryeministri Thaçi po ashtu përmendi faktin se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë është bërë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetëror me Serbinë, por edhe për të avancuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkim Evropian. Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për marrjen e pëlqimit nga BE-ja në fund të këtij muaji për nisjen e negociatave për nënshkrim të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së.

Kryeministri Thaçi e falënderoi Sekretarin Hague për mbështetjen e tij personale dhe të qeverisë britanike për avancimin e mëtejmë të procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në trupat e ndryshëm ndërkombëtar dhe rajonal.

Kryeministri Thaçi dhe  Sekretari Hague u pajtuan që të thellojnë tutje marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, si dhe rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe investimet britanike në Kosovë.

Gjatë vizitës dy ditore në Londër, Kryeministri Thaçi është takuar po ashtu edhe me disa nga anëtarët aktiv të Grupit Gjithëpartiak në Parlamentin Britanik për Kosovën. Gjatë bisedës me disa Lordë dhe Anëtarë të Parlamentit, Kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e tyre në proceset integruese të Kosovës, si dhe fuqizimi të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, dhe thellimi të bashkëpunimit bilateral.