Follow us on:

Kryeministri Thaçi takoi anëtarët e Grupit Gjithëpartiak në Parlamentin Britanik për Kosovën

Londër, 06 qershor 2013 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Londër, ka takuar sot anëtarët e Grupit Gjithëpartiak në Parlamentin Britanik për Kosovën.

Kryeministri Thaçi në takimin me parlamentarët, lordin Peter Bowness, lordin George Robertson, Mark Pitchard dhe Tony Baldry, i ka njoftuara ata për zhvillimet e fundit në vend, sidomos për përgatitjet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë më 19 prill, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministrit Thaçi në takim ka theksuar se Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve evrpiane të integrimit dhe në këtë kuadër përkushtimi institucional për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është në funksion të perspektivës evropiane të rajonit.

Nga ana e tyre, parlamentarët u shprehën të kënaqur me progresin e arritur në Kosovës, duke vlerësuar sidomos faktin që në pesë vitet që kur është shpallur shtet i pavarur, Kosova është duke u konsoliduar çdo ditë e më tepër. Gjatë kësaj periudhe, Kosova ka arritur të jetë pjesë e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Parlamentarët e siguruan kryeministrin Hashim Thaçi se Britania e Madhe do të vazhdoj të jetë një partner i fuqishëm për Kosovën edhe në të ardhmen, duke e ndihmuar që të jetë një shtet i përkushtuar për qytetarët e saj.