Follow us on:

Ta ruajmë dhe kultivojmë gjuhën shqipe

Mesazh i Ambasadorit Greiçevci i botuar në gazetën ‘The Albanian’ (25 shkurt 2013), me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit

Të nderuar bashkatdhetarë,

Populli shqiptar nëpër kohëra të ndryshme, është ballafaquar me sfida dhe procese të ndryshme, të cilat edhe kanë përcaktuar veprimet e duhura në shërbim të kauzës kombëtare. Sot, 100 vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe me Kosovën e cila sapo shënoi pesëvjetorin e pavarësisë së saj, sfidat dhe proritetet janë të tjera.

Gjeneratat e reja, për dallim nga prindërit e tyre, të cilët përjetuan kohëra të rrezikut ekzistencial, kur preokupimi kryesor ishte mbijetimi si komb dhe si qenje njerëzore, tani kanë fatin që të merren me jetën e tyre normale, me të gjitha vështirësitë dhe lumturitë që sjell ajo. Sot, për ta ndihmuar komunitetin shqiptar, për ata që jetojnë jashtë atdheut, detyra më fisnike është që t’i dërgojnë fëmijët në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Në ruajtjen e kulturës, traditës dhe kultivimin e identitetit kombëtar te gjeneratat që kanë lindur dhe po rriten jashtë Kosovës dhe Shqipërsisë, rol kyç luan mësimi i gjuhës amtare. Në fakt, kjo përveç që paraqet një të drejtë themelore, mësimi i gjuhës shqipe, krahas gjuhës së shoqërisë vendase (në këtë rast anglishtes), i pasuron dhe zhvillon më shumë fëmijët tanë. Në të gjitha studimet e bëra kohëve të fundit, dygjuhësia, përveç  që ndihmon fëmiun në aspektin zhvillimor, poashtu kontribon në integrimin e tij në shoqërinë dhe kulturën e vendit. Pra, mësimi i gjuhës së nënës, ruajtjes dhe kultivimit të kulturës dhe të identitetit të origjinës, nuk është përjashtues ndaj pranimit dhe përqafimit të kulturës vendase. Përkundrazi, këto dy procese e ndihmojnë njëra tjetrën. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithë prindërve të komunitetit shqiptar në Mbretëri të Bashkuar, ta mbajnë gjallë gjuhën shqipe nëpër shtëpitë e tyre, dhe, sipas mundësive dhe rrethanave që i kanë, të bëjnë çmos për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Dita e mësuesit zgjon kujtime nostalgjie nga fëmijëria jonë. Për mua, roli i mësimdhënësve gjatë viteve të nëntëdhjeta në Kosovë zgjon konotacione të rezistencës dhe të sakrificës së tyre individuale për një ideal më të lartë. Sot, për ata që ushtrojnë këtë detyrë në vendet ku është e shpërndarë mërgata e jonë, duke e marrë parasysh se në shumicën e rasteve kjo bëhet në baza vullnetare, apo me pagesë minimale, puna e tyre është për t’u çmuar lartë. Përkushtimi i tyre dhe vullneti i tyre për të ruajtur gjuhën tonë të bukur shqipe, përmban po të njëjtin përkushtim të paraardhësve të tyre që i pëmenda më lartë.

Për fund, prindër të dashur, dëshiroj që në këtë ditë të shenjtë, t’i urojmë mësuesit tanë të zellshëm të gjuhës shqipe! E dëshira e tyre, dhe besoj e të gjithë prindërve që jetojnë në Mbretëri të Bashkuar,  është për më shumë nxënës në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

P.S. Shihni portalin ‘Gjuha ime’ (www.gjuhaime.com), të cilin e ka krijuar dhe e mirëmban Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës. Ky portal u kushtohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të cilët jetojnë jashtë atdheut. Edhe njëherë, urime 7 Marsi, Dita e Mësuesit!

Lirim Greiçevci
Ambasador i Republikës së Kosovës në MB