Follow us on:

Festimi i pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Më 18 Shkurt 2013, në hotelin Hyat Regency – The Churchill në Londër, në shënim të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës organizoi pritjen zyrtare për korin diplomatik të akredituar në Londër. Mysafire e nderit në mbrëmjen festive ishte Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri.

Në kremtë morrën pjesë ambasadorë dhe diplomatë të shumtë,  zyrtarë të  lartë të Ministrisë së Jashtme britanike, deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Dhomës së Lordëve, dhe individë të shquar dhe dashamirës të Kosovës, si ish-komandanti i parë i KFOR-it, Sir Mike Jackson , ish-ndërmjetësi e BE-së në dialogun teknik, Sir Robert Cooper, dhe ish-prokurori i Gjykatës së Hagës në gjykimin kundër Millosheviqit, Sir Geoffrey Nice. Në mesin e të ftuarve pati edhe personalitete nga sfera të ndryshme të shoqërisë britanike, si gazetarë, akademikë, afaristë, dhe përfaqësuesë të organizatave joqeveritare e insititucioneve kulturore. Të pranishëm ishin edhe një numër përfaqësuesish të komunitetit shqiptar në Londër.


Pas intonimit të himnve të Kosovës dhe të Britanisë, në fjalën e tij, Ambasadori Greiçevci u përqendrua në të arriturat e Kosovës gjatë periudhës pesëvjeçare si shtet i pavarur, në konsolidimin dhe njohjen e Kosovës dhe në anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, siç ishte anëtarësimi, në fund të vitit të kaluar, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Si dëshmi e besimit të bashkësisë ndërkombëtare në institucionet e shtetit të Kosovës, Grupi Ndërkombëtar Drejtues përfundoi mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar. Në këtë drejtim, kontributi i Britanisë së Madhe për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës është historik dhe të mbahet mend dhe çmohet përherë nga populli i Kosovës”, theksoi mes tjerash ambasadori Greiçevci.

 

Ndërsa në fjalën e saj, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se kjo ditë shënon ngjarjen më të rëndësishme në historinë moderne të zhvillimit demokratik të Kosovës. “Pavarësia e Kosovës ishte ëndrra jonë, lufta dhe sakrifica e jonë. Por, nuk ishim vetëm, kishim miq dhe aleat ndërkombëtarë të cilët janë pjesë e historisë tonë”, tha zëvendëskryeministrja Tahiri, duke shtuar se bashkërisht me miqtë tanë po e realizojmë ëndrrën tonë për një shtet të suksesshëm.


Në fund, Ambasadori Greiçevci ngriti një dolli kushtuar pavarësisë së Kosovës dhe miqësisë midis Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.