Follow us on:

Ambasadori Hamiti dorëzoi letrat kredenciale te Presidenti i Irlandës

Dublin, 6 dhjetor 2011 - Ambasadori i Republikës së Kosovës, Muhamet Hamiti, ka dorëzuar të marten, më 6 dhjetor, në Dublin letrat kredenciale të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për emërimin e tij ambasador jorezident në këtë vend.

Në një ceremoni shtetëtore në Pallatin Presidencial të Irlandës, Áras an Uachtaráin, Ambasadori Hamiti i dorëzoi letrat Presidentit të Republikës së Irlandës, Michael D. Higgins. Ceremonia përfshinte intonim të himnit të Kosovës nga orkestra ushtarake,  rivistë gardës ushtarake të Irlandës, si dhe paraqitjen e Ambasadorit Hamiti para Presidentit Higgins.

Me këtët rast, Ambasadori Hamiti i përcolli mesazhet e përzemërta të Presidentes Jahjaga për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit irlandez, si dhe përkushtimin për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Irlandës. Presidenti Higgins falënderoi për mesazhet e dërguara dhe uroi që Kosova e pavarur dhe sovrane të shënojë përparime në rrugën e saj evropiane. Ai poashtu vuri në pah ndjeshmërinë që ekziston në Irlandë për Kosovën.

Irlanda e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës më 29 shkurt 2008. Ajo përfaqësohet në Kosovë përmes ambasadorit të saj rezident në Budapest.

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Muhamet Hamiti, i cili është ambasador rezident në Mbretërinë e Bashkuar, që nga sot do të mbulojë Irlandën. Hamiti është poashtu ambasdor jorezident edhe për Zelandë të Re.