Follow us on:

Aktivitet kulturor i ambasadave të Kosovës e të Shqipërisë në Londër

Londër, QIK, 20 tetor 2010 - Ambasadat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë në Britani të Madhe kanë mbajtur një aktivitet të përbashkët kulturor, shoqëruar me një koktej, në mjediset e Parlamentit britanik të marten mbrëma. Aktivteti, që u mbajt në Uestminster Holl, përkrahur edhe nga deputeti britanik Adam Hollouej (Holloway), përfshinte shfaqjen e filmit dokumentar “Rescue in Albania” të Dardan Islamit e Alush Gashit, por edhe fjalë rasti të ambasadorëve Muhamet Hamiti e Zef Mazi, si dhe të profesoreshës T. Scarlett Epstein (Skarlit Epshtajn), hebreje britanike, e cila, si vazjë e re, kishte shpëtuar gjatë Luftës së Dytë në Shqipëri.

Ambasadori i Kosovës, Dr. Muhamet Hamiti, pasi vlerësoi filmin, foli për praninë e hershme të hebrenjëve në Kosovë. Kjo prani ka ekzistuar sigurisht që nga antikiteti, ndonëse është e dokumentuar vetëm nga shekulli XV, tha ai.  Prania hebrenje në Kosovë ka vazhduar gjatë sundimit otoman por edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, tha Hamiti, duke shjeguar përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për shpëtimin e  hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai përmendi veçanërisht famlijen Rezniqi që ka shpëtuar 40 hebrenj.

Pushteti komunist jugosllav rrënoi kishën katolike dhe një sinagogë në Prishtinë mbas Luftës së Dytë në përpjekje për të krijuar identitet të kombit të ri socialist jugosllav edhe në Kosovë, përkujtoi Muhamet Hamiti.

Lëvizja pavarësiste në Kosovë e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova ka promovuar ringjalljen e lidhjeve historike të popullit të Kosovës me vlerat perëndimore dhe civilizimin e moçëm, ka theksuar ambasador Muhamet Hamiti, i cili përkujtoi kujdesin që ka treguar Dr. Rugova për varrezën hebrenje në Prishtinë gjatë viteve nëntëdhjetë, në kohën kur Serbia okupatore po bënte spastrim etnik në Bosnjë dhe Kosovë.

Për kulturën shqiptare dhe shpëtimin e çifutëve në Shqpëri foli ambasadori i Shqipërisë, Zef Mazi.

Profesoresha Epstein shpjegoi para të pranishmëve se si kishte shpëtuar, si hebrenje hungareze, kur kishte kërkuar dhe marrë vizë shqiptare në Konsullatën shqiptare në Zagreb në fund të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Po të mos ishin shqiptarët, unë nuk do të isha sot këtu, tha ajo.
Të pranishëm në këtë aktivitet kultuor e shoqëror ishin anëtarë të Parlamentit britanik, zyrtarë të Foreign Office-it,  diplomatë, miq dhe dashmirës të shqiptarëve e të hebrenjëve, por edhe shqiptarë me banim në Britani të Madhe. Të pranishëm ishin edhe autorët e filmit “Shpëtimi në Shqipëri”.