Follow us on:

Ambasadori Greiçevci takohet me përfaqësues të shoqatave dhe të shkollave shqipe në MB

18 nëntor 2013 – Ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar këto ditë ka pasur disa takime të veçanta me përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe të shkollave të mësimit plotësues në Mbretëri të Bashkuar (MB).

Me qëllim të njohjes për së afërmi me sfidat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe me të cilat ballafaqohen shoqatat shqiptare që merren me organizmin e shkollave shqipe në MB, Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të këtyre shoqatave, si z. Talat Pllana, drejtorin e Shkollës Shqipe “Kosova” dhe njëherësh kryetar i “Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Londër”; z. Lutfi Vata, kryetar i shoqatës “Ardhmëria” së bashku me disa mësuese nga kjo shoqatë; znj. Luljeta Nuzi, drejtore e organizatës “Shpresa Programme”; z. Esat Braçe, kreytar i shoqatës “’Nënë Tereza’ Albanian Community in the UK; si dhe z. Hysen Ruspi, përfaqësues i shoqatës “Mother Teresa Albanian Union”.

Ambasadori Greiçevci u interesua për punën e tyre dhe problemet me të cilat ballafaqohen shkollat e mësimit plotësues në Britani. Sfidat kryesore të cilat i shfaqën përfaqësuesit e shoqatave ishin interesimi i ultë i prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkollat shqipe, si dhe financiare - mbulimi i shpenzimeve që kanë të bëjnë me rezervimin e klasave brenda shkollave të rregullta mësimore dhe kostot përcjellëse të menaxhimit të shkollave plotësuese (pagesa, sado minimale, e arsimtarëve, materialet shpenzuese etj.).

Gjatë takimit, Ambasadori Greiçevci i njoftoi përfaqësuesit për tekstet shkollore të dërguara nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës për shkollat shqipe të mësimit plotësues në Mbretëri të Bashkuar. Ai, duke e çmuar lartë punën e këtyre shkollave në ruajtjen e gjuhës shqipe, të kulturës dhe të trashëgimisë kombëtare te gjeneratat e reja të disasporës shqiptare, bëri të ditur përkushtimin e Ambasadës së Kosovës për të punuar ngushtë me të gjitha shoqatat e komunitetit shqiptar në Londër. 


Ambasada e Kosovës gjatë këtyre ditëve i ka shpërndarë tekstet shkollore për mësim të gjuhës shqipte të destinuara për shkollat e mësimit plotësues në Mbretëri te Bashkuar.