Follow us on:

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me kryeministrin e Pakistanit, Nawaz Sharif

Londër, e mërkurë, 30 tetor 2013 - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër me kryeministrin e Pakistanit, zotëri Nawaz Sharif, të cilin e falënderoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij. Ajo e vlerësoi edhe ndihmën që Pakistani ka dhënë në periudha të ndryshme, përmes pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare në Kosovë, si dhe në përkrahjen e shtetndërtimit të saj.

Presidentja Jahjaga theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të thellohen në të gjitha fushat, në veçanti duke avancuar bashkëpunimin në fushën e ekonomisë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende të botës dhe ajo po luan sot një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ajo tha se konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është me rëndësi dhe theksoi se Pakistani mund ta ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve, posaçërisht në vendet e Organizatës së Konferencës Islamike.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shtet i qëndrueshëm që ka një klimë të mirë biznesi dhe vend atraktiv për investime të huaja, në fusha të ndryshme dhe theksoi se ajo ka nevojë për mbështetje në këtë drejtim. Ajo tha se Banka Islamike për Zhvillim do të mund ta ndihmonte Kosovën përmes mbështetjes së biznesit në vend, që do të siguronte edhe një qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik dhe do të ndihmonte në hapjen e vendeve të reja të punës.
 
Presidentja Jahjaga i bëri ftesë zyrtare kryeministrit Sharif për ta vizituar Kosovën në një periudhë të përshtatshme për të.
 
Kryeministri i Pakistanit, zotëri Nawaz Sharif, i vlerësoi marrëdhëniet me Kosovën si shumë të mira dhe tha se Pakistani është thellësisht i interesuar për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të mbështetur Kosovën në të gjitha fushat, në ekonomi e në politikë.
 
Ai theksoi se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Pakistanit dhe theksoi se të dyja vendet duhet të krijojnë mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale në shumë fusha. Kryeministri Sharif tha se Pakistani dhe Kosova duhet të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme partneriteti.

Burimi: www.president-ksgov.net