Follow us on:

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me mbretin Abdullah të Jordanisë

Londër, e martë, 29 tetor 2013 - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër me mbretin Abdullah të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, në kuadër të Forumit të 9-të Botëror Islamik Ekonomik.

Presidentja Jahjaga e falënderoi mbretin Abdullah për ndihmën që Mbretëria e Jordanisë i ka dhënë për Kosovën në periudha të ndryshme të zhvillimt të saj dhe mbështetjen që ky vend i ka ofruar Kosovës edhe pas pavarësimit të saj në vitin 2008.
 
Presidentja Jahjaga i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe tha se është i nevojshëm thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, posaçërisht në atë të zhvillimit ekonomik. Ajo tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtutjeshme përmes gjetjes së mundësive për investim në energji, infrastrukturë dhe në zhvillimin e bujqësisë.
 
Duke folur për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës tanimë është një realitet i njohur nga shumë vende të botës dhe theksoi se ndihma e Jordanisë në procesin e konsolidimit dhe të njohjes së shtetësisë së Kosovës, posaçërisht në vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, do të ishte e një rëndësie të veçantë.
 
Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta dhe si dy shtete që kultivojnë tolerancën ndërfetare kanë interes të përbashkët që të adresojnë kërcënimet e ekstremizmit kudo dhe kurdo që të shfaqet. Ajo tha se kjo është një çështje që kërkon qasje të përbashkët.
 
Mbreti Abdullah i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, i vlerësoi marrëdhëniet me Kosovës dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e një vendi gjithëpërfshirës dhe demokratik. Ai tha se Jordania do ta ndihmojë Kosovën në organizimin e një konference ndërkombëtare gjithëpërfshirëse për tolerancën ndërfetare.
 
Mbreti Abdullah tha se Jordania do ta përkrahë Kosovën edhe në procesin e konsolidimit të pavarësisë së saj në botë, në veçanti në mesin e vendeve islamike.

Burimi: www.president-ksgov.net