Follow us on:

Paraqitja e kërkesës për Vizë

Nëse nuk jeni shtetas nga njëri ndër vendet e listuara në Kush nuk ka nevojë per vizë? ose nuk i përkisni njërës ndër Kategoritë e Veçanta atëherë ju duhet të aplikoni për vizë kosovare nëse dëshironi të vizitoni ose tranzitoni nëpërmjet territorit të Republikës së Kosovës.

Aplikacionin duhet ta dorëzoni personalisht jo më vonë se tre (3) muaj para fillimit të vizitës pranë Misionit Diplomatik ose Konsullor përkatës të Republikës së Kosovës. Bartësit e vizës për shumë hyrje mund ta dorëzojnë aplikacionin gjashtë (6) muaj para skadimit të vizës valide.


Aplikacioni i juaj duhet të përmbajë:

  • Formularin e kërkesës për vizë të plotësuar dhe nënshkruar në origjinal. Personat e përfshirë në dokumentin e udhëtimit të aplikuesit duhet të dorëzojnë aplikacion të veçantë. Në rast se aplikuesi është i mitur, formulari duhet të nënshkruhet nga prindërit ose kujdestari ligjor;
  • Një kopje e dokumentit të udhëtimit i cili dëshmon se ka vlefshmëri së paku tre muaj pas datës së largimit nga territori i Republikës së Kosovës. Dokumenti i udhëtimit duhet të ketë së paku dy (2) faqe të zbrazëta;
  • Një fotografi (jo më të vjetër se 1 muaj) në përputhje me ICAO (International Civil Aviation Organization) standardet;

  • Dokumentet mbështetëse:

  • Dëshminë për qëllimin e qëndrimit në Republikën e Kosovës;
  • Dëshminë në lidhje me akomodimin ose dëshminë e posedimit të mjeteve të mjaftueshme për akomodim;
  • Dëshminë për mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit në Republikën e Kosovës dhe për kthimin në vendin e origjinës, ose transitit ne vendin e tretë në të cilin i është e siguruar hyrja, ose që është në pozitë për të i fituar ato në mënyrë të ligjshme;
  • Sigurimin shëndetësor valid në Republikën e Kosovës që mbulon gjithë periudhën e qëndrimit në Republikën e Kosovës;
  • Taksa e aplikimit për vizën C është 40 Euro. Taksa e aplikimit për vizën D është 80 Euro, e cila duhet të paguhet nga aplikuesit perveç poseduesve të pasaportave diplomatike apo zyrtare; fëmijëve nën moshën 6 vjeç; nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve në shoqërimin e tyre në vizita që kanë për qëllim studimet apo trajnimet;

Vini re: Ju lusim të konsultoni webfaqen e Misionit Diplomatik ose Konsullor ku ju do të paraqesni kërkesën e vizës për të marrë detajet e bankës ku duhet bërë pagesa.


INFORMATA TË RËNDËSISHME

  • Varësisht nga qëllimi i vizitës, zyrtari Konsullor mund të kërkojë dokumente të tjera mbështetëse;
  • Të gjitha dokumentet mbështetëse duhet të jenë të përkthyera në një nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës ose në gjuhën Angleze;
  • Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në dy (2) kopje;
  • Bartësit e pasaportave diplomatike/zyrtare lirohen nga taksa e vizës dhe nga obligimi i paraqitjes personale me rastin e aplikimit;
  • Parashtruesi i kërkesës për vizë të cilit i është refuzuar viza mund të paraqesë ankesë ndaj refuzimit brenda 8 ditësh kalendarike pranë misionit në të cilin është bërë aplikimi për vizë.
  • Vetëm posedimi i vizës nuk jep automatikisht të drejtën e hyrjes.