Follow us on:

Hoxhaj: Libri i MacShane, thirrje publike për mbështetjen e Kosovës Evropiane

Londër, 19 tetor 2011 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në promovimin e librit të Ish-Ministrit Britanik për Evropë, Denis MacShane me titullin “Why Kosovo Still Matters”.

Duke folur për librin, Ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë mjeshtërinë e pakrahasueshme të Denis MacShane për të përshkruar situata të ndryshme në Kosovë. “Librin e shoh si një thirrje të hapur për politikanët që të vazhdojnë angazhimin për një të ardhme Evropiane të Kosovës dhe të Ballkanit”, ka thënë Hoxhaj

Ministri Hoxhaj ka falënderuar MacShane për mbështetjen në konsolidimin shtetëror të Republikës së Kosovës. “Denis, ky libër është shkruar në kohë vendimtare për Kosovën, por edhe për Ballkanin. Në vitin 1991, kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, kosovarët kishin tri ëndrra: Liri, Paqe dhe Pavarësi. Njëzet vjet më vonë, ne jemi mbledhur në këtë shtëpi të madhe të demokracisë, dhe Kosova është e pavarur, e lirë dhe paqësore. 2011-ta do të hyjë në histori si viti i Kosovës Evropiane. Aspirata kryesore që ne sot kemi është integrimi evropian dhe që t’i bashkohemi familjes së madhe të kombeve”, ka thënë Hoxhaj, para shumë diplomatëve, deputetëve dhe gazetarëve të pranishëm në këtë promovim.

Hoxhaj ka thënë se Dr. MacShane është një nga miqtë e përkushtuar të Ballkanit, i cili gjithmonë ka kërkuar integrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Rruga e Kosovës do të jetë e plotë vetëm atëherë, kur pesë shtetet e BE-së do t’i bashkohen pjesës tjetër të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës. Mbështetja britanike për sigurimin e një politike unike të BE-së në Kosovë është themelore. Pas vendimit të fuqishëm të GJND-së që thotë se pavarësia e Kosovës është e ligjshme, ne nuk shohim asnjë arsye pse këto vende të mos e pranojnë vullnetin e popullit në Kosovë”, ka shtuar Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj gjatë fjalimit të tij, ka thënë po ashtu se Serbia duhet të ndalojë të sillet si komb dominues në Ballkan. “Është koha e fundit që Serbia të ndalojë politikën e saj – kundërshtimi pa kufij”, ka shtuar Hoxhaj.

Në librin e tij, MacShane rrëfen ngjarjet e tmerrshme që ndikuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, urrejtjen ndëretnike, etj.

Ndërkaq, me 20 tetor, Ministri Hoxhaj gjatë vizitës në Londër, do të pritet në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, William Hague. Në këtë takim do të diskutohet lidhur me thellimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe për bashkëpunimin ekonomik. Ministri Hoxhaj po ashtu do të kërkojë ndihmën e Britanisë së Madhe në përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës si dhe në rritjen e numrit të njohjeve.