Follow us on:

Komuniteti shqiptar takohet me deputetë britanikë

Të hënën, më 17 nëntor, në Parlamentin Britanik u mbajt një takim mes përfaqësuesve të shoqatave shqiptare në Londër dhe më shumë se dhjetë deputetë të këtij parlamenti. Në këtë mbrëmje të kryesuar nga deputeti Andy Slaughter morrën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të komunitetit shqiptar.

Qëllimi i këtij organizimi të inicuar nga shoqata “Ardhmëria” ishte prezantimi i sfidave të komunitetit shqiptar që jeton në Mbretëri të Bashkuar para deputetëve të pranishëm. Rëndësi të veçantë iu dha përpjekjeve për ta bërë gjuhën shqipe lëndë të rregullt mësimore në sistemin mësimor britanik, si pjesë e çertifikimeve për, siç quhet, GCSE (General Certificate of Secondary Education – çertifikatë e përgjithshme e nivelit sekondar shkollor).

Përveç deputetit Slaughter, i cili e hapi takimin, si dhe përfaqësuesve të shoqatave, të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, z. Lirim Greiçevci, falënderoi deputetët britanikë të pranishëm për përkujdesin për komunitetin shqiptar, si dhe përgëzoi përfaqësuesit e shoqatave dhe komunitetin shqiptar në Britani për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
Pasi bëri të ditur punën që Qeveria e Kosovës e ka bërë për ta ndihmuar komunitetin me planprograme, tekste mësimore, trajnime dhe seminare për mësimdhënës, Ambasadori Greiçevci theksoi se prioritet i institucioneve të Kosovës është mbështetja për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në shkollat me mësim plotësues në MB, andaj njohja e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në shkollat e mesme të MB është hap i ardhshëm i natyrshëm.

“Synimet tona nuk ndalen me kaq: në të ardhmen dhe varësisht nga resurset në dispozicion, do të ishte mirë që të krijohet një qendër për studime shqiptare në kuadër të ndonjë universiteti të njohur britanik” – tha Ambasadori Greiçevci. Në fund, premtoi mbështetjen e vazhdueshme të ambasadës dhe të institucioneve të Kosovës për avancimin e komunitetit shqiptar në MB.