Follow us on:

Në Londër promovohet libri “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, i Prof. Dr. Nusret Pllanës

Të hënën, më 29 shtator 2014, në Londër u mbajt promovimi i veprës publicistike dokumentare: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” dhe filmit dokumentar: “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana.

Prezantimi i këtij libri i cili dokumenton krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjime të ndryshme serbe përgjatë historisë u bë në ambientet e Regent’s University. Promovimi u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe. Përveç pjesëtarëve të shumtë të komunitetit shqiptar në Mbretëri të Bashkuar, të pranishëm ishin edhe personalitete nga sfera të ndryshme të jetës politike, shoqërore dhe akademike.

Në fjalën e hapjes, Ambasadori Greiçevci e vlerësoi punën e palodhshme të autorit në evidentimin e të kaluarës së hidhur dhe tragjike të kombit tonë. “Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje akademike, por edhe obligim për të gjithë ne për të mirën e gjeneratave që do të vijnë. Siç thotë një thënie e urtë, ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara, e kaluara u përsëritet” – pohoi Ambasadori Greiçevci.

Të pranishmëve u folën edhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretëri të Bashkuar, z. Mal Berisha, dhe z. Talat Pllana, kryesues i Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.

Në fjalimin e tij enkas për librin që për herë të parë po shpalosej para publikut londinez, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, z. James Pettifer, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Puna të cilën z. Pllana e ka bërë, tha Pettifer, është mënyra më efikase për t’iu kundërvënë përpjekjeve për rishkrim të historisë.

Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe një dokumentar që paraqiste rrugëtimin e këtij libri nëpër kryeqendra të ndryshme të botës.

Në fund të promovimit, autori foli për rolin dhe rëndësinë e dëshimve dhe të dhënave të përfshira në librin e tij, si dhe paraqitjen para audiencës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit.