Follow us on:

Kryeministri i Kosovës feston 6 Vjetorin e Pavarësisë së bashku me bashkatdhetarët në Londër

Të hënën, më 24 shkurt 2014, Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër organizoi një mbrëmje festive me bashkatdhetarët që jetojnë në Mbretëri të Bashkuar për të shënuar 6 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Mysafir nderi në këtë festim ishte Kryeminstri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Në fjalën e hapjes, Ambasadori Greiçevci falënderoi të pranishmit e shumtë duke thënë se “në mesin tonë është mysafiri më i lartë që ka vizituar komunitetin shqiptar në Britani të Madhe deri më tani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi”.

Para qindra bashkatdhetarëve të pranishëm, të cilët me entuziazëm kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të MB-së, Kryeministri Thaçi u uroi përvjetorin e gjashtë të pavarësisë së Kosovës: “Të nderuar bashkatdhetarë, të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme në Londër dhe në Britani të Madhe, më lejoni që  në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të institucioneve të Kosovës, t’ju përshëndes sonte me rastin e kremtimit të gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Urime të gjithëve!”.

Duke i falënderuar bashkatdhetarët për kontributin e shquar që kanë bërë para, gjatë dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, Kryeminsitri Thaçi përmendi Indrit Carën, Lutfi Musiqin dhe Liman Rekajn, tre dëshmorët të cilët ishin kthyer nga Londra për t’iu bashkuar luftës çlirimtare.

Kryeminstri Thaçi foli edhe për mbështetjen e fuqishme për Kosovën të popullit britanik, në përpjekjet për liri dhe shtetësi të Kosovës. “Liria e Kosovës e ka vulën e Londrës” – tha ai.

Pas fjalës së kryeministrit të Kosovës u shfaq një program kulturor-artistik i përgatitur nga fëmijët e shkollave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nën udhëheqjen e shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptar në Londër, si vallet e përgatitura nga shoqata “Ardhmëria”’, recitimet nga Shkolla Shqipe “Kosova “ e shoqatës “Faik Konica”; shoqatave “Nëna Tereza”, “Mothere Teresa Union”, si dhe “Shpresa Programme”.