Follow us on:

Kryeministri Thaçi në konferencën e investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Të hënën, më 24 shkurt 2014, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën e investimeve për Ballkanin të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në këtë konferencë morrën pjesë kryeministrat e shtatë vendeve të rajonit.

Në suaza të konferencës. Kryeministri Thaçi pati edhe një takim të veçantë me presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti, me të cilin bisedoi për për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për hapat që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës, për rritjen ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të ekonomisë kosovare.Në vijim po e japim fjalën e plotë të Kryeministrit Thaçi në këtë konferencë.


Londër,  24 Shkurt, 2014

Të nderuar kryeministra,

Të nderuar ministra dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BERZH,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja e zotërinj;

Më lejoni që fillimisht të falënderoj të gjithë anëtarët e BERZH-it për organizimin e këtij forumi me temë kryesore investimet në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm para pak vitesh ishte veshtirë të besohej se kryeministrat e rajonit do të jenë pjesë e një paneli të përbashkët për të diskutuar çështje kryesisht ekonomike.

Është kënaqësi e veçantë të përfaqësoj Kosovën, si një nga anëtaret më reja në BERZH.

Që nga paslufta BERZH ka mbështetur Kosovën dhe unë shpresoj që edhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbështes ekonominë e Kosovës, përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, dhe të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Prej shpalljes së pavarësisë me 2008, Kosova ka vazhduar progresin saj si vend demokratik dhe vend me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Deri më sot, 106 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ne jemi shumë afër përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian dhe po ashtu jemi në dialog të vazhdueshëm me fqinjin tonë Serbinë, për të normailizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe gjithë rajonin.

Përgjatë këtyre viteve Qeveria e Kosovës ka përfunduar projekte të mëdha kapitale, duke përfshirë këtu ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës që është padyshim ndër më të mirët në rajon.

Ne jemi në prag të fillimit të autostradës së re që lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe së shpejti presim të fillojmë me fazën tenderuese të projektit të Brezovicës, një qendër turistike e përmasave ndërkombëtare.

Këto janë suksese të cilat vetëm para pak vitesh, ishin të paimagjinueshme për Kosovën.

Tani që kanë kaluar 15 vite pas intervenimit të NATO-s, Kosova ka arritur të funksionalizojë një ekonomi të tregut të lirë dhe të bëhet partner serioz për rajonin dhe më gjerë.

Gjatë kësaj rruge ne kemi arritur të ndërtojmë infrastrukturën rrugore me standarde evropiane, kemi përmirësuar ambientin e biznesit duke ulur taksat, duke siguruar një fuqi punëtore të lirë dhe fleksibile, duke eliminuar barrierat e qasjes në treg dhe duke garantuar me ligj trajtimin e barabartë të investitorëve ndërkombëtarë dhe vendorë.

Në 5 vitet e fundit, Kosova ka pasur një rritje të GDP-së mesatarisht prej 5% , e cila konsiderohet arritje e madhe për institucionet e Kosovës.

Kjo rritje ekonomike është arritur përkundër krizës ekonomike globale e cilia ka pasur efekte negative edhe në rajon.

Trendet ekonomike pozitive në Kosovë janë indikator i reformave që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar një sërë reformash të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Investimet private kanë qëndruar tek 20 – 22% i GDP-së gjatë 5 viteve të fundit, kurse investimet publike janë rritur nga 5%  në 12% të GDP-së.

Ne besojmë që për të stimuluar rritjen ekonomike dhe punësimin, investimet nga sektori privat duhet të rriten dhe politikat e duhura duhet të implementohen nga institucionet e Kosovës.

Investimet kapitale janë rritur vazhdimisht që nga shpallja e pavarësisë.

Ato janë rritur nga 154 milion euro në vitin 2008, në 500 milion euro në vitin 2013.

Rritja e investimeve publike është bërë e mundur nga një menaxhim më i mirë i buxhetit, performancë më e mirë e autoriteteve doganore dhe administratës tatimore, si dhe nga një plan ekonomik më i përshtatshëm për nevojat e sektorit privat.

Ne kemi shpenzuar shumë energji gjatë 3 viteve të fundit në forcimin e sistemit ekzistues të tregut, që siguron që Kosova është një partner plotësisht i integruar, njohur në rajon dhe botë.

Ne kemi punuar vazhdimisht me sektorin privat për të përmirësuar ambientin biznesor dhe klimën investive, sepse besojmë që kjo është rruga e vetme e duhur për të pasur rritje të qëndrueshme ekonomike.

Të gjitha këto përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovë në raportin e Bankës Botërore e të Bërit Biznes 2014.

Ne kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm për 40 vende për 2 vitet e fundit.

Kosova është shpallur zyrtarisht si top reformatori i 5-të në botë nga 185 shtete që janë në konkurrencë, duke lënë prapa shumicën e shteteve të rajonit për numrin e reformave që janë realizuar këto dy vitet e fundit.

Por nuk janë vetëm reformat në përmirësim të ambientit si arsye për të investuar në vendin tonë.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe CEFTA janë ndër arsyet kryesore që ju mundësojnë investitorëve potencial ta shohin Kosovën jo vetëm si një treg prej 2 milion konsumatorëve, por si një treg prej nga mund të eksportohet pa doganë në një treg prej 32 milion konsumatorëve në vendet e CEFTA-s dhe afro 600 milion konsumatorëve në Bashkimin Evropian, duke mos përfshirë masat preferenciale tregtare me SHBA, Japoni dhe Norvegji.

Gjithashtu, Kosova ofron një sistem të taksave më efikas, duke pasur parasyesh vlerësimin e zyrtarëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si sistemin më të mirë në botë pas Zelandës së Re, pasi që është shumë i thjeshtë dhe i lehtë për bizneset.

Për më tepër, përveç sistemit efikas të taksave, Kosova ofron tatimet më të ulëta në Evropë, duke ju ofruar investitorëve të huaj vetëm 10% në profit të korporatave, vetëm 5% kontribut të detyruar të pensioneve dhe 0% tatim në dividendë.

Janë edhe me shumë benefite tjera që ofron Kosova, siç është mbrojtja e investitorëve të huaj ku i garantohet i gjithë investimi i tyre përmes ligjit mbi investimet e huaja.

Po ashtu edhe stabiliteti makroekonomik me vetëm 6.2% të GDP-së, si borxh publik, dhe shpirti i ndërmarrësisë, që ekziston në Kosovë janë faktorë të rëndësishëm për investitorët e huaj.

Me qëllim që të stimulojmë dhe inkurajojmë investimet e huaja në Kosovë, ne kemi kaluar ligjin mbi Zonat Ekonomike gjatë vitit të kaluar, i cili parasheh krijimin e dy zonave të lira ekonomike në territorin e Kosovës.

Këto zona janë në krijim e sipër të cilat shumë shpejtë do të jenë në dispozicion për investitorët e huaj, që kanë për qëllim të prodhojnë me kosto të ulët operative dhe të eksportojnë pa ndonjë tarifë doganore, në të gjitha shtetet e rajonit dhe të BE-së.

Kjo jo vetëm që i mundëson kompanive evropiane që dukshëm të ulin shpenzimet operative, por gjithashtu ju mundëson të mos paguajnë tatime në shitje dhe doganë, përderisa produkti i prodhuar ka destinacion vendet jashtë Kosovës.

Për më tepër, Kosova ka popullatën më të re në Evropë, me rreth 70% nën moshën 35 vjeçare.

Rinia e Kosovës është forcë dinamike e zhvillimit të proceseve në Kosovë dhe një nga asestet më të mëdha dhe më të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.

Kjo është një forcë punëtore efektive me një kosto të ulët dhe kompetitive me vendet e rajonit.

Me gjithë përparimet e dukshme, unë jam i vetëdijshëm që ne ende kemi sfida ekonomike.

Edhe pse në përmirësim e sipër për çdo vit, deficiti tregtar ende është i lartë për Kosovën.

Investimet e huaja direkte janë në ngritje të vazhdueshme, por ne duhet të bëjmë më shumë për të rritur numrin e investitorëve të jashtëm dhe vlerën e këtyre investimeve.

Papunësia, edhe pse në rënie, ende nuk është në nivelin e pranueshëm për një ekonomi në zhvillim, siç është Kosova.

Të gjitha këto sfida, dhe shumë të tjera, na presin në të ardhmen e afërt.

Unë besoj që ne do t’i tejkalojmë ato dhe shpresoj që BERZH do të luajë një rol të rëndësishëm për të na mbështetur në këtë drejtim.

Unë ju premtoj se ne nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të thellojmë reformat ekonomike në Kosovë.

Zonat e lira ekonomike, shpenzimet më të ulëta operative në Evropë, tatimet ndër më të ulëta në Evropë, qasje e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, Evropës Juglindore, Turqisë, Amerikës, Japonisë dhe Norvegjisë, sigurimi i investimeve të huaja, përmirësimi i infrastrukturës, si dhe reformat e vazhdueshme në përmirësim të klimës investive janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimit tuaj.

Ju faleminderit!