Follow us on:

Ambasada e Kosovës organizon pritje për korin diplomatik në Londër me rastin e 6 Vjetorit të Pavarësisë

Të hënën, më 17 shkurt, me rastin e gjashtëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretëri të Bashkuar organizoi një pritje festive me korin diplomatik në Londër.

Në mesin e pjesëmarrësve pati edhe shumë ambasadorë dhe diplomatë të vendeve të ndryshme të akredituarë në Oborrin e St James-it, përfaqësues dhe zyrtarë të institucioneve britanike, profesorë dhe njerëz të artit dhe të filmit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, z. Lirim Greiçevci, pasi falënderoi pjesëmarrësit, foli për rimëkëmbjen e Kosovës pas “dekadave të shtypjes dhe luftës”, pavarësimin e saj si dhe zhvillimet e fundit në përpjekjet për konsolidimin e shtetësisë.

“Gjashtë vite mundë të duken pakë në jetën e kombeve, por, sipas fjalëve të Abraham Lincoln-it, me rëndësi është se çfarë jete bën gjatë viteve, e jo numri i viteve gjatë jetës”- tha Ambasadori Greiçevci, duke shtuar se “Kosova sot është e lirë, e pavarur dhe në paqe. Pavarësia ka qenë e vetmja zgjidhje për ta siguruar lirinë tonë të fituar me mund, për ne dhe gjeneratat që do të vijnë. Sëkëndejmi, Kosova mund të cilësohet si projekti më i suksesshëm i përbashkët i popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare në historinë e vonshme”.

Ambasadori Greiçevci gjithashtu njoftoi të pranishmit me progresin e bërë në dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe marrëveshjen e arritur në prill të vitit të kaluar.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Ambasadori Greiçevci falënderoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e madhe që i ka dhënë dha vazhdon t’i japë Kosovës: “Ne e çmojmë aleancën dhe miqësinë tonë dhe presim që kjo lidhje të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”.