Follow us on:

Dita e përvjetorit të tretë të tretë të pavarësisë së Kosovës

FJALA PËRSHËNDETËSE E AMBASADORIT MUHAMET HAMITI - Institute of Directors - Londër, 17 shkurt 2011

Shkëlqesitë e Juaja,
Zonja dhe zotrinj,
Miq të dashur,

Është kënaqësi e imja t’ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë juve në kremtimin e tre-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Vitin e kaluar pavarësia e Kosovës u vlerësua nga trupi më i lartë juridik i KB-së, Gjykata  Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) i Hagës, i cili gjykoi në korrik të 2010 se deklarata e pavarësisë nga përfaqësuesit e popullit të Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte në përputhshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare. U mbetet tani vendeve të cilat kanë deklaruar se janë në pritje të vendimit të GJND-së për të  marrë vendimin e njohjes së Kosovës, që tani ta bëjnë këtë.

Mbretëria e Bashkuar ishte ndër shtatë vendet e para të cilat e njohën Kosovën brenda 24 orëve të ekzistencës sonë si vend i pavarur. Ne vërtetë patëm një proces stabil të njohjes. 75 vende e kanë njohur Kosovën deri më sot – që përbëjnë përmbi 70% të Bruto Produktit Vendor – BPV (GDP) të botës.

Ne i falënderojmë nga zemra të gjitha këto për pranimin e Kosovës në gjirin e tyre. Ne presim edhe nga vendet tjera që ta njohin shtetësinë e Kosovës, ndërkombtarisht të legjitimuar.

Ne sapo i përfunduam zgjedhjet e para nacionale në Republikën e Kosovës, me një ngritje të përgjithshme të pjesëmarrjes dhe me një pjesëmarrje të mirë të minoritetit serb dhe të minoriteteve të tjera. Kuvendi do të konstituohet të hënën. Ne do të mund ta kemi qeverinë e re dhe presidentin gjatë javës së ardhshme. Kjo poashtu është një shenjë e gjallërisë së demokracisë sonë, dhe të një shteti funksional dhe shoqërie shumë etnike. Kosova do t’i ketë 95 deputetë shqiptarë të parlamentit dhe 25 anëtarë nga komuniteti i minoriteteve, në një legjislaturë që ka gjithsej 120 anëtarë.

Prioritet i qeverisë së re të Kosovës do të jetë ballafaqimi me problemet ekonomike dhe sociale që po e rëndojnë vendin, duke përfshirë papunësinë, edhepse vitin e kaluar ne patëm përmbi 4% rritje të BPV-së.

Kosova është dëshmuar si një popull i paepur, i cili u ngrit nga shkrumbi i luftës së 1999-s, dhe para tri vitesh qëndroi në këmbë të veta duke vendosur që të shpallë vetveten të pavarur, shtet sovran dhe demokratik.

Kosova ka pse të festojë sot, duke u ballafaquar me të ardhmen me një vullnet të përtërirë dhe duke u përpjekur për t’u integruar në BE, NATO, dhe së fundi në OKB.

Me ndihmën tuaj, me mbështetjen e pakursyer të qeverive tuaja, shkëlqesi dhe miq të Kosovës, ne do t’ia dalim.

Më lejoni në fund që të falënderoj Drejtorin Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Lulzim Mjeku, për ardhjen e tij në Londër për të kremtuar me ne ditën tonë të pavarësisë.

Shkëlqesitë e Juaja, zonja dhe zotrinj, miq të dashur,
Falemnderit shumë për vëmendjen tuaj. Kaloni mirë në këtë mbrëmje.