Follow us on:

Mbrojtja e interesave të shtetasve të Kosovës jashtë vendit

Gjatë qëndrimit në shtetet e huaja, shtetasit e Kosovës mund të përballen me vështirësi të natyrave të ndryshme. Shtetasit mund të drejtohen tek misionet diplomatike/konsullore për paraqitjen e këtyre vështirësive dhe kërkimin e këshillave për tejkalimin e tyre.

Ndihma që mund të ofrohet nga përfaqësitë diplomatike / konsullore konsiston në:

- Ofrimin e ndihmës shtetasve të Kosovës në raste të jashtëzakonshme;
- Ofrimin e ndihmës për të burgosurit ose atyre në vështirësi ligjore me organet
gjyqësore të shtetit pranues;
- Ofrimin e ndihmës për rikthimin e shtetasve të Kosovës që kanë gjetur vdekjen në shtetin pranues dhe sigurimin e mbrojtjes së pasurisë së tyre.

Drejtuesi i misionit konsullor mund të ofrojë ndihmë për shtetasit e Kosovës vetëm atëherë kur vërtetohet se shtetasi i gjendur në vështirësi nuk posedon njëkohësisht dhe shtetësinë e shtetit pranues. Ofrimi i ndihmës në rrethana të jashtëzakonshme, siç mund të jenë fatkeqësitë natyrore apo ngjarjet me rrezikshmëri të lartë, shtrihet dhe tek anëtarët e tjerë të familjes të cilët gëzojnë shtetësinë e vendit pranues.

Në raste të arrestimit, ndalimit apo hapjes së ndonjë hetimi nga autoritetet e shtetit pranues, shtetasit e Kosovës kanë të drejtë të njoftojnë përfaqësinë diplomatike/konsullore dhe të kërkojnë ndihmën përkatëse, e cila konsiston në:

- njoftimin e familjarëve për arrestimin;
- adresimin tek avokati mbrojtës apo
- kërkesën për intervenim tek autoritetet vendase në rast se vërehen shkelje të të drejtave të njeriut.

Në raste të vdekjes së shtetasit të Kosovës jashtë, përfaqësitë diplomatike/konsullore mund të ofrojnë listën e agjensive të shërbimeve funerale dhe çmimoren e përafërt; të regjistrojnë aktin e vdekjes dhe të lëshojë dokumentacionin e nevojshëm për rikthimin e trupit të të ndjerit. Përfaqësitë nuk mbulojnë shpenzimet për riatdhesimin e kufomës.